Skandaloze/ Polici kosovar arsyeton sulmin seksual: Hajt se nuk ja ka hekë naj copë, nuk është ba nami

Zyrtari policor kufitar nga Gjakova, Ismet Deva, i suspenduar për korrupsion, e ka arsyetuar një rast të sulmit seksual, që ka ndodhur dje në Fushë Kosovë, e për të cilin ka raportuar sot Gazeta Sinjali. Në artikullin e Sinjalit, të publikuar në faqen e Facebook-ut, Deva ka lënë një koment skandaloz, përmes të cilit e ka bërë fajtore gruan që ka denoncuar rastin në Polici.

Arsyetimi i rasteve të ngacmimeve e sulmeve seksuale nga dikush që ka veshur uniformën e zyrtarit policor dhe do të duhej të jepte shembull që rastet e tilla të raportohen dhe të dyshuarit të dënohen, është i tmerrshëm.

Të riun që po dyshohet për sulm seksual, Deva e ka quajtur “te shkretë”, pasi sipas tij është ndalur në gjysmë, duke lënë të nënkuptohet se sipas tij është dashur të kryej aktin deri në fund.

Po aq skandaloze është edhe cilësimi që ia ka bërë denoncimit të gruas, gjoja se nga inati ajo e ka njoftuar Policinë, sepse “nuk ia ka hekë naj copë”.

“Hajt se nuk ja ka heke naj cope, nuk eshte ba nami…. Sigurisht se ai i shkreti eshte nale ne gjysme te rruges, asaj i ka ardhe inati e eshte anku….”.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe vet Devën për këtë rast, por në momentin që e ka kuptuar se kush po e kontakton, e ka fshirë komentin nga postimi i Sinjalit në Facebook.

Ndryshe, Deva ishte arrestuar në aksionin Pika, që u zhvillua në mars, ku përfunduan në prangat e IPK-së, rreth 50 policë.

Ai është i suspenduar, nën dyshimet se ka kryer veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrja e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit, kontrabandimi i mallrave, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar.”

Previous post “Ti prapë po m’çon n’burg pa faj, i kam njerëzit e fortë – s’ki me punu mo ti”
Next post “Unë fabrikë nuk kam”, kosovarit i vije fatura e rrymës 768 euro për muajin qershor (FOTO)