Ky është 61-vjeçari i arrestuar në Pejë, këto janë krimet që dyshohet se i ka kryer në Kosovë (FOTO)

Prokuroria Speciale sot njoftoi për arrestimin e një shtetasi malazez nga fshati Vitomiricë i Pejës, nën dyshimet për “Krime lufte kundër popullsisë civile”, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se personi që u arrestua është Milorad Dokovic, 61-vjeçar, i cili u prangos rreth orës 14:00.

Sinjali mëson se 61-vjeçari i arrestuar dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Ozdrim të Pejës gjatë luftës në Kosovë, në muajin maj të vitit 1999.

Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës, ku dyshohet se u vranë nëntë civil të nacionalitetit shqiptar dhe janë zhdukur pesë persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë.

I dyshuari tashmë është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërkohë që janë kryer edhe bastisje lidhur me rastin.

Burimet e Sinjalit thonë se me urdhër të Prokurorit dhe aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit dhe zyra e tij e strukturave paralale në fshatin Gorazhdec të Pejës.

Previous post “Kemi vrarë fëmijë, gra e burra në Kosovë”, serbi rrëfen krimet e bëra të Serbisë në Kosovë (VIDEO)
Next post Ngritet aktakuzë, prokuroria kërkon dënimin e Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit