Familja e 48-vjeçares që vdiq tragjikisht pasi u qëllua me armë zjarri mbrëmë në Prishtinë, teksa ishte kalimtare e rastit, ka dalë me një njoftim për këtë ngjarje të rëndë, raporton Gazeta Sinjali.
Në njoftim është bërë e ditur se e ndjera Zejnije Gubetini Gashi do të varroset nesër në Dargodan.
“Me dhimbje të thellë, njoftojmë familjen, shoqërinë dhe miqtë se sot, më datën 27.03.2024, nga dora kriminale e grupeve mafioze në Prishtinë, si një kalimtare e rastit, u vra motra jonë (qika e axhës) Zejnije Gubetini Gashi.
Varrimi i të ndjerës do të zhvillohet nesër, më datën 28.03.2024, me ikindi (15:15) në varrezat e qytetit Arbëri (Dragodan).”– thuhet në njoftim.
Ndryshe, Gashi u dërgua me urgjencë mbrëmë në QKUK, mirëpo s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë sot në spital.
Lajmin për vdekjen e saj ka konfirmuar shefi i Klinikës së Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka.
“Ka pasur dëmtim të lartë të enëve të gjakut dhe kockës së këmbës së majtë. Këto lëndime e kanë quar pacienten në gjendje të shokut. Pas operimit në Emergjencë është sjellur në Intensivë. Tek ne është sjellur në gjendje shumë të rëndë, në shok të rëndë. Pavarësisht tretmanit dhe përpjekjeve të stafit, ajo ka ndërruar jetë para pak çastesh”, ka thënë Uka.
Nga konflikti ku u përfshinë dy grupe, mbetën i vdekur edhe Egzon Haziri. Katër personat që po dyshohen për plagosje dhe vrasje, të cilët ndodhen në arrati tashmë janë shpallur në kërkim nga Policia.