Punëtori i kompanisë “N.N.T Çlirimi” që u rrëzua të enjten nga një lartësi prej disa metrash dhe për pasojë mori lëndime të rënda, ka humbur jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë. Përkundër intervenimeve të mjekëve, i riu nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe vdiq të enjten në mbrëmje, raporton Gazeta Sinjali.
Ky rast ka tronditur familjen Gashi, kur e morën lajmin e hidhur për vdekjen e djalit të tyre.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se i riu që ndërroi jetë është Betim Gashi, 27-vjeçar nga fshati Përqevë në Klinë.
Njoftimin e ka dhënë edhe familja Gashi, me ç’rast kanë njoftuar se lamtumira e fundit do t’i jepet nesër.
“Ka ndërruar jetë Betim Rifat Gashi (07.11.1996) nga Përqeva e Klinës, në vendin e punës në Prishtinë. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër (23.12.2023), në varrezat e fshatit Përqevë, në orën 13:00.”
Posa Policia është njoftuar për rastin, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, prej ku është tërhequr trupi i pajetë, për t’u dërguar në IML për obduksion.
Sinjali mbrëmë raportoi se lidhur me këtë rast, tashmë është arrestuar menaxheri i kompanisë, Avdullah Xhema.
Xhema është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti ka ndodhur në punishten e kompanisë “Dijari Estate” që e kishte nënkontraktuar kompaninë “Çlirimi” për të kryer punime.
Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit është iniciuar hetimi për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/