foto ilustrimGazeta Sinjali raportoi sonte për një tjetër rast tronditës të dhunimit të një vajze të mitur nga Suhareka që dyshohet se ka ndodhur së fundmi. Viktima 13-vjeçare, e cila u raportua e zhdukur dhe u gjet pas dy ditësh dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht nga dy persona. Fillimisht u arrestuar vetëm njëri nga të dyshuarit, teksa tashmë Poicia ka arritur ta kap edhe të dyshuarin e dytë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se përveç Durak Dakës, rreth 21-vjeçar, ndaj të cilit është urdhëruar masa e ndalimit policor, i dyshuar për rastin është edhe Planet Berisha, rreth 20-vjeçar.
Lajmi është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prizren, me ç’rast është bërë e ditur se kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit.
Çka dihet për rastin?
Siç raportoi Sinjali, edhe Policia e konfirmoi se rasti u zbulua pasi 13-vjeçarja nga Suhareka u denoncua e zhdukur nga familja e saj dhe Policia arriti ta gjejë atë në qytetin e Vushtrrisë. E mitura ishte raportuar e zhdukur më 16 mars dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj, deri më 18 mars, ku një njësi policore ra në gjurmët e saj.
Sipas informacioneve të para, vajza 13-vjeçare gjatë kësaj kohe ka qëndruar me dy persona, të cilët dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të. Të njëjtit dyshohen se e kanë dhunuar vajzën në disa motele të ndryshme.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pasi vajza u gjet, është dërguar në spital për ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë.
Ndërsa viktima e mitur, pasi është intervistuar është dërguar në strehimore, duke mos pranuar që të kthehet në shtëpinë e saj.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.