Të dielën iu dhurua lamtumira e fundit të riut nga Podujeva, i cili ka ndërruar jetë të shtunën në QKUK, ku ishte duke u trajtuar për shkak të lëndimeve të rënda që kishte pësuar gjashtë ditë më parë kur ishte rrahur brutalisht nga dy të dyshuarit e mitur. Avokati prizrenas, Gent Gjini, në një komunikatë dërguar TV Prizrenit, ka reaguar për dënimet e pamjaftueshme që u dhurohen të miturve në raste të tilla të vrasjeve, të cilat kohëve të fundit sipas tij janë shtuar tej mase në vendin tonë.
”Duke, marrë parasysh se tragjeditë e vdekjeve të moshave të mitur në territorrin e Kosovës, ka nje rritje të madhe ku shumë te rinj të moshës së re, nga moskujdesi i duhur prindëror dhe edukativ nëpër institucione shkollore, janë të prirur që të merren me dukuritë negative të përleshjeve, për motive të ulëta, duke përfunduar deri tek tragjeditë siç është ky rasti i fundit ku një i mitur ka humbur jetën nga përleshja të cilin e kanë sulmuar me shkop dhe si pasojë duke marrë plagë të rënda ka ndërruar jetë.”, thotë avokati Gjini.
Ai ka thënë se shtimi i rasteve të tilla tragjike janë edhe si rrjedhojë se nëpër shkolla nuk ka siguri të plotë për nxënësit, duke shtuar tutje se autoritetet policore duhet të tregojnë kujdes më të shtuar për të miturit me të kaluar penale që paraqesin rrezik për shoqërinë.
”Këto raste që tani më janë shpeshtuar tek të miturit janë edhe si rezultat se nëpër shkolla, nuk ka kontroll dhe siguri për t’i kontrolluar se të njëjtit a mbajnë mjete të rrezikshme, si armët e ftofta dhe të nxehta tek të njetit, dhe kjo vjen si rezultat që edhe autoritetet policore, duhet ta bëjnë punën e tyre që këta të mitur të rrezikshëm me të kaluar penale të rrezikshme për shoqërinë, të njëjtit të i burgosin dhe të konfiskohen sendet e rrezikshme që rrezikojnë jetën e qytetarëve.”, thekson ai.
Gjini ka theksuar se dënimi maksimal ndaj të miturve për veprat penale të vrasjeve është 10 vite burgim, të cilat nuk i vuajnë deri në fund dhe dalin brenda një afati shumë më të shkurtër kohor. Ai ka thënë se ky ligj duhet të ndryshohet.
”Përse, për këtë fenomen është fajtor edhe ligjdhënësi, kur ka hartuar veprat penale për të miturit. Ligji duhet të ndryshohet, sepse maksimumi i dënimit per të miturit, që kryejnë veprat penale të vrasjeve është burgosja deri 10 vjet burgim efektiv e aq më e keqja se ligjdhënësi mes tjerash ka paraparë lehtësime që as 10 vite burgim për veprat penale të vrasjeve të miturit nuk i vuajnë deri në fund dhe dalin për një kohë relativisht të shkurtër.”, ka shkruar Gjini në fund të reagimit të tij.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pas një përleshje fizike që kishte ndodhur në rrugën “Drenica” në Podujevë më 14.01.2024, dy të dyshuarit (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore. “Ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale ‘Vrasje në tentativë’ (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatën për media.
Ndërkaq, xhaxhai i viktimës është shprehur se kërkon drejtësi maksimale nga organet kompetente./TVPrizreni/