Gazeta Sinjali publikoi sot pamjet e përleshjes së 16 korrikut të vitit të kaluar, në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, ku një grup i të rinjve janë rrahur mes vete, në mesin e të cilëve edhe djali i një zyrtari policor. Rion Hamiti, djali i policit Halim Hamiti, edhe pse ishte përfshirë në incident, kishte shpëtuar duke u intervistuar vetëm si rast. Kjo është konfirmuar edhe nga Prokuroria, teksa vet polici, në një prononcim për Sinjali ka dhënë deklarata të ndryshme.
Halim Hamiti është kontaktuar nga Gazeta Sinjali lidhur me këtë rast dhe i njëjti fillimisht e ka mohuar se djali i është përfshirë në rast, e më pas ka thënë se mund të jetë edhe nipi i tij, për shkak të ngjashmërisë së madhe, që siç tha ai, e ka me të birin e tij.
Zyrtari policor Hamiti nuk kishte konsistencë as për detajet e rastit. Ndonëse tha se nuk ka informacione “kurrgjë” , më pas e konfirmoi se rasti ka përfunduar.
“Rasti nuk është nën hetime rasti, si rast është kry. Nuk është djali jem, nuk është djali. Nuk jom konë në rast e as nuk e di. Munesh me pytë kush u konë aty. Nashta e kanë pasë videon. Lypni prej Prokurorisë more. Unë s’jom konë në rast, s’jom konë në punë atë ditë.“ – tha ai.
Pas disa thirrjeve nga ana e redaksisë, Hamiti tha se nuk po arrin ta identifikojë të birin e tij, duke ia drejtuar gishtin djalit të vëllait, që tha se ka qenë po ashtu aty.
“Të lutem a ka mundësi mos me më pengu se jom t’u u marrë me një rast në Vërmicë. Nuk kom kohë. Të tregova që djali i vëllait është identifik me djalin tem, nuk po muj me pa që është qiky djali jem. Ky mun me konë shumë ma shumë djali i vëllait se djali jem. Si binjakë janë…identikë shumë.”
Ndërsa kur u pyet se a ka ndikuar ai që djali i tij të intervistohet si dëshmitar, polici Hamiti u përgjigj shkurt, pa u specifikuar nëse ka ndërhyrë në rast.
“Nuk jom konë në punë oj zojë. Nuk kom ditë kurrgjë as nuk di hala.” – përfundoi ai.
Çka dihet për rastin?
Sinjalizues të Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se ndaj Rion Hamiti është kërkuar që të mos iniciohet rast, jo sepse nuk ka elemente të veprës penale, por, sipas tyre, për shkak se është djali i policit Halim Hamiti.
Ky i fundit po dyshohet se ndikoi në këtë rast, duke ndërhyrë që i biri të intervistohej si dëshmitar dhe jo si i dyshuar, pa e dëshmuar përfshirjen ose jo të tij në sherrin që plasi mes disa të rinjve më 16 korrik 2023.
Sinjali ka siguruar ekskluzivisht pamjet, që provojnë se Rion Hamiti shihet duke dhënë grushte në këtë përleshje, provë kjo që nuk dihet nëse e ka poseduar Policia e Prokuroria dhe gjatë hetimit të rastit, apo edhe ky video incizim është fshehur.
Në videon e mëposhtme shihet se si Rion Hamiti bashkë me disa të tjerë e godasin në kokë viktimën B.J., derisa dikush ndërhyn dhe e ndalon, për të vazhduar sërish me veprime të njëjta.
Ndërsa në një video tjetër, fillimisht njëri nga personat e përfshirë e shtyn një tjetër dhe më pas përfshihet sërish Rion Hamiti.
Këto pamje e vërtetojnë se djali i zyrtarit policor është i dyshuar për rrahjen, por që i njëjti ka shpëtuar nga ndjekja penale për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Intervistimin e Rion Hamitit vetëm si dëshmitar lidhur me rastin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren, pasi fillimisht Sinjali ka kërkuar përgjigje edhe nga Polica.
Këta të fundit, kanë bërë me dije se kallëzimi penal është dërguar në Prokurori dhe “nuk janë kompetentë për t’u përgjigjur për rastin.’
“Me date 16 Korrik 2023, në rrugen “Adem Jashari”, Prizren eshte raportuar per në rast “Lëndim i lehte trupor” i njejti raste me Kallzim penal eshte derguar ne Prokurorin Themelore në Prizren. me date 24.07.2023, keshtu që nga ai moment nuk jemi kompetent te pergjigjemi per rastin , per informacione me detale ju lutem drejtohuni prokurorise.” – thuhet në përgjigjen e Policisë Rajonale në Prizren.
Nga Prokuroria kanë thënë për Sinjalin se në kallëzim penal, Hamiti është intervistuar nga Policia në cilësinë e dëshmitarit dhe njëjtë është paraqitur edhe në kallëzim penal.
“Lidhur me kërkesën tuaj për informacione, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se, personi me inicialet R.H., nga ana e policisë është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit. Po ashtu, edhe në kallëzim penal është paraqitur si dëshmitar. Kallëzimi penal ka qenë kundër Z.H., ndërsa, i dëmtuar është B.J.”
Ndaj personit të vetëm të akuzuar për këtë rast, Zaim Haxhës, ky institucion ka njoftuar se kishte ngritur aktakuzë dhe lidhur me rastin i njëjti tashmë është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata.
“Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër Z.H., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Po ashtu, lidhur me rastin ka aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Z.H.”.