FOTO ILUSTRIM
Hakmarrja dyshohet se ishte motivi i rastit të rëndë që ndodhi sot në Pejë, ku një person u godit për vdekje qëllimisht nga një veturë. Viktima Ilir Osmani, nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve, ndërsa shoferi i dyshuar tashmë ka rënë në prangat e Policisë, Gazeta Sinjali.
I dyshuari Sergio Jonuzi nga Elbasani fillimisht ka ikur nga vendi i ngjarjes, por Policia ka arritur ta kap dhe i njëjti tashmë është shoqëruar në stacion policor.
Sinjali ka mësuar se konflikti mes tyre dyshohet se ka nisur pasi Ilir Osmani, tash i ndjerë, dyshohet se ia kishte djegur shtëpinë të dyshuarit Jonuzi.
Në shenjë hakmarrje, ky i fundit, po dyshohet se ia ka zënë pritën sot dhe e ka goditur qëllimisht për vdekje, thonë të njëjtat burime.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Është arrestuar i dyshuari dhe me urdhër te prokurorit te shtetit është ndaluar 48 ore për veprën penale vrasje e rende me qëllime hakmarrje” – tha Nikçi.
Në kuadër të veprimeve hetimore, Policia ka sekuestruar një veturë, që dyshohet se është pronë e të dyshuarit.