Artila Kameri ka humbur jetën tragjikisht në orët e para të ditës së sotme, pasi e njëjta dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e katit të dytë në hotelin ‘Venus’, ku po qëndronte bashkë me 32-vjeçarin nga Peja, Asdren Begolli. Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e ndjera ishte e ve, pasi disa vite më parë edhe bashkëshorti i saj, Arlindi, kishte humbur jetën tragjikisht, duke bërë vetëvrasje.
Nga martesa çifti kanë lënë pas vetes një vajzë të vogël.
Por si ndodhi ngjarja tragjike?
Rreth orës 03:30 tashmë e ndjera, Artila Kameri dhe Asdren Begolli, dyshohet të jenë përfshirë në një konflikt verbal me njëri-tjetrin.
Si rrjedhojë, 34-vjeçarja dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e hotelit dhe si pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore që rezultuan të jenë fatale për të.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale kanë konstatuar vdekjen e saj.
Lidhur me rastin nga Policia thanë për Sinjalin se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha zëdhënësja, Flora Ahmeti.
Ndërkohë Sinjali ka kontaktuar edhe hotelin ‘Venus’ për të marrë një prononcim lidhur me rastin, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar të flasin, duke thënë se për çdo informatë duhet të kërkohet nga Policia.