Në minutat e para të ditës së djeshme ka ndodhur një vetaksident në fshatin Miresh i Vogël të Gjilanit.
Për pasojë ka humbur jetën i riu nga Përlepnica, Lorent Rrustemi.
28 vjeçari po drejtonte automjetin në momentin kur u vetaksidentua dhe me ç’rast mori plagë të cilave nuk u përballoi dot.
Lidhur me këtë, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka njoftuar se janë ndaluar tre persona të dyshuar.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se dy nga të dyshuarit ishin duke zhvilluar gara me të ndjerin.
Të njëjtit, bashkë me një person të tretë, dyshohet se nuk i kanë dhënë ndihmë viktimës, duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria bën të ditur se të dyshuarit F.A, B.A dhe L.M janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ky është njoftimi i plotë (pa ndërhyrje):
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ndaluar të dyshuarit F.A. dhe B.A., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘’Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme’’ dhe ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të dyshuarin L.M., për shkak të veprës penale ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, të KPRK-së.
Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit F.A. dhe B.A, më 25 Janar 2024, rreth orës 00:50 minuta, me automjetet e tyre, së bashku me tani të ndjerin L.R., gjatë drejtimit të automjeteve kanë zhvilluar gara, të cilat janë të ndaluara me ligj, që nga dalja e Gjilanit deri në hyrje të fshatit Dobërçan, ku edhe i ndjeri L.R., ka pësuar vetaksident dhe ka humbur jetën.
Po ashtu, dyshohet se pas vetaksidentit, të dyshuarit – vozitësit F.A. dhe B.A., si dhe i dyshuari – pasagjeri L.M., , nuk i kanë dhënë ndihmë tani të ndjerit L.R., duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.