Konfliktet në familjet kosovare janë mjaft të shpeshta dhe jo rrallëherë kanë përfunduar edhe me kanosje, në përleshje apo edhe tragjikisht. Një incident i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur së fundmi në një familje në Vushtrri dhe këtë herë janë të përfshirë dy vëllezër, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, një 16-vjeçar e ka therur me thikë vëllain e tij, të moshës madhore, duke i shkaktuar plagë, për çka viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se i riu është pranuar në këtë klinikë me plagë në gjoks dhe menjëherë i është nënshtruar intervenimeve të nevojshme.
Posa rasti është denoncuar në Polici, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë, teksa mjeti i mprehtë është konfiskuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën “Vrasje në tentativë”.