Gazeta Sinjali raportoi të hënën në mbrëmje për një rast që ndodhi në fshatin Ozdrim të Pejës, ku për motive akoma të panjohura, një person ka goditur me veturë një zyrtar policorë. Hetimet për këtë rast tashmë kanë nisur në drejtim të veprës penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe si rezultat Policia ka identifikuar të dyshuarin.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari që e goditi zyrtarin policor që ishte në detyrë është Agron Gashi, nga fshati Ozdrim i Pejës, i cili tashmë po kërkohet nga Policia.
Gashi është larguar nga vendi i ngjarjes, pasi e ka goditur policin dhe më pas veturën e ka braktisur, për t’u arratisur, me qëllim që të shpëtojë nga prangat.
Ndërkohë, polici që u sulmua ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonalë të Pejës dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet dhe pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarit, të ndërmerren veprimet e tjera të nevojshme.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/
Përditësim: Personi në fjalë tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës.